Muçollari: Kuvendi i 30 Majit do të shënojë epokën e modernizimit të PD-së, diasporë, inteligjencë artificiale dhe reforma të thella në statut

Data

Partia Demokratike pritet të ndërmarrë një nga reformat më të thella organizative të viteve të fundit në Kuvendin Kombëtar të 30 majit. Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, deklaroi se statuti i ri do të sjellë ndryshime të rëndësishme që synojnë modernizimin e partisë dhe zgjerimin e përfaqësimit të saj.

Sipas Muçollarit, një nga risitë kryesore është garantimi i përfaqësimit të diasporës me deri në 15% të vendeve në Këshillin Kombëtar. Ai theksoi se kjo masë synon të përfshijë më aktivisht shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që e kanë të vështirë të marrin pjesë në proceset tradicionale të zgjedhjes.

Ndryshimet statutore parashikojnë gjithashtu rritjen e kuotës së përfaqësimit të grave në strukturat drejtuese, në përputhje me zhvillimet dhe standardet bashkëkohore të politikës ndërkombëtare.

Një tjetër element i rëndësishëm i reformës është krijimi i një sistemi të ri vlerësimi të performancës për drejtuesit e partisë, deputetët dhe strukturat lokale. Sipas Muçollarit, secili funksionar do të ketë objektiva të matshëm dhe puna e tij do të monitorohet në mënyrë periodike përmes një platforme digjitale.

PD synon gjithashtu të përdorë inteligjencën artificiale për të mbledhur dhe analizuar opinionet e demokratëve dhe qytetarëve për çështje të ndryshme politike. Përmes sondazheve, SMS-ve dhe platformave online, partia do të krijojë raporte të detajuara mbi shqetësimet dhe prioritetet e mbështetësve të saj.

Muçollari bëri të ditur se statuti i ri do të parashikojë edhe krijimin e një rrjeti të organizuar të diasporës, si dhe një bord këshillues të përbërë nga intelektualë dhe ekspertë jashtë strukturave partiake, të cilët do të japin rekomandime për kandidaturat dhe politikat e ardhshme.

“Partia Demokratike ka kaluar sfida të mëdha dhe tashmë ka hyrë në një fazë të re. Kjo është epoka e ripërtëritjes, e modernizimit dhe e ndërtimit të një alternative fituese për qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.

Sipas drejtuesit demokrat, Kuvendi i së shtunës pritet të miratojë një paketë të gjerë ndryshimesh që synojnë ta shndërrojnë PD-në në një forcë politike më moderne, më të hapur dhe më konkurruese për zgjedhjet e ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related