Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur lirimin me kusht të banorëve të Rrjollit, të cilët u arrestuan pas protestës së zhvilluar kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë.
Banorët u përfshinë në një përplasje gjatë protestës, ku sipas autoriteteve u shkatërruan makineritë e kompanisë që po kryen punimet për ndërtimin e resortit.
Në vendimin e saj, gjykata ka vendosur një masë kufizuese ndaj protestuesve, duke u ndaluar atyre që t’i afrohen perimetrit të kantierit të punimeve.
Megjithatë, banorët e Rrjollit e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke e cilësuar atë absurd, pasi sipas tyre në zonën e ndaluar ndodhen shtëpitë dhe tokat e tyre.
Protestat në Rrjoll kanë vazhduar prej disa javësh, ndërsa banorët pretendojnë se toka ku po ndërtohet resorti është pronë e tyre dhe kundërshtojnë projektin që po realizohet në zonë.
