Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Granit Pepnikën, i arrestuar pak ditë më parë në Dhërmi, i dyshuar për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”.
E njëjta masë sigurie u vendos edhe për Xhoni Hitajn, i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale, si dhe për Redion Rexhmatin, i dyshuar për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas hetimeve paraprake, Pepnika dhe Hitaj ishin shpallur në kërkim që prej muajit prill, pasi ndaj tyre ishte caktuar më herët masa “arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës në kuadër të një procedimi penal për mashtrime kompjuterike.
Tre të dyshuarit u arrestuan në zonën e Drimadhës gjatë operacionit policor të koduar “Rrjetet”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit për goditjen e grupeve të dyshuara të përfshira në mashtrime përmes platformave të komunikimit dhe teknologjisë.
Sipas autoriteteve, hetimet lidhen me një skemë të dyshuar mashtrimi që mendohet se ka dëmtuar financiarisht shtetas të huaj. Vlera e dëmit të pretenduar nga organet ligjzbatuese është rreth 50 milionë euro.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë skemë. Të arrestuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
