Andrej Vučić ka humbur betejën gjyqësore ndaj gazetës malazeze Vijesti, pasi Gjykata Themelore e Podgoricës ka rrëzuar padinë e tij dhe ka vlerësuar se publikimi i materialeve të lidhura me përgjimet e aplikacionit “Sky” ishte në interes të publikut.
Sipas raportimeve të medias kroate Jutarnji list, gjykata arriti në përfundimin se Andrej Vuçiç konsiderohet figurë publike dhe pjesëmarrës aktiv në jetën politike të Serbisë, çka nënkupton se ai duhet të pranojë një nivel më të lartë të vëmendjes publike dhe kritikës mediatike krahasuar me qytetarët e zakonshëm.
Padia ishte ngritur kundër gazetës, kryeredaktorit, një redaktori të kronikës së zezë dhe një gazetareje, me pretendimin se artikulli i publikuar kishte cenuar nderin, reputacionin dhe dinjitetin e tij. Vuçiç kërkonte 5 mijë euro dëmshpërblim, fshirjen e artikullit të publikuar më 23 janar 2024 dhe publikimin e vendimit të gjykatës në portalin e gazetës.
Megjithatë, gjykata rrëzoi të gjitha kërkesat dhe vendosi që paditësi të mbulojë edhe shpenzimet gjyqësore të palës së paditur, në vlerën mbi 3,400 euro.
Artikulli objekt i procesit gjyqësor citonte pjesë nga komunikime të siguruara përmes aplikacionit “Sky”, ku përmendeshin emra të njohur nga politika, biznesi dhe bota e krimit në rajon. Mes tyre përmendeshin edhe Aleksandar Vučić, vëllai i tij Andrej dhe biznesmeni nga Kosova Zvonko Veselinović.
Në vendimin e saj, gjykata theksoi se heqja e artikullit do të krijonte një efekt frikësues ndaj mediave, i njohur si “chilling effect”, duke dekurajuar gazetarët që të raportojnë mbi tema me interes publik.
Sipas gjykatës, një praktikë e tillë do të përbënte rrezik serioz për demokracinë, lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar mbi çështje me rëndësi publike.
Vendimi konsiderohet një fitore e rëndësishme për lirinë e shtypit në Mal të Zi dhe një precedent në mbrojtje të raportimit investigativ mbi çështje që lidhen me politikën, sigurinë dhe krimin e organizuar në rajon.
