Avokati i Sali Berisha, Genc Gjokutaj, ka reaguar pas dëshmisë së Taulant Balla në GJKKO, duke e cilësuar procesin për dosjen “Partizani” si të sajuar.
Në një prononcim për mediat, Gjokutaj tha se dëshmia e Ballës zgjati disa orë, por sipas tij ishte e paqartë dhe kontradiktore. Ai pretendoi se deputeti socialist nuk kishte njohuri të sakta mbi akuzat që kishte ngritur në kallëzimin e tij.
“50% të dëshmisë nuk e mbante mend dhe pjesën tjetër e bazonte në media. Nuk dinte çfarë akuzash kishte bërë,” u shpreh ai.
Sipas Gjokutajt, ka dyshime se në këtë rast mund të ketë elementë të kallëzimit të rremë, duke shtuar se çështja nuk përmban, sipas tij, fakt penal.
Ai kritikoi edhe punën e SPAK, duke deklaruar se institucioni “e mori ditën e punës” pa sjellë prova konkrete në proces.
Në vijim, avokati u pyet për thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, kërkesë që është pranuar nga gjykata.
Gjokutaj u shpreh se paraqitja e Ramës në gjykatë nuk është çështje zgjedhjeje personale, por detyrim ligjor.
“Është vendim gjykate. Nuk është në diskrecionin e tij të vijë apo jo,” deklaroi ai, duke shtuar se nuk beson që kryeministri do të shmangë paraqitjen.
Procesi për dosjen “Partizani” vijon të shoqërohet me akuza dhe kundërakuza mes palëve, ndërsa priten zhvillime të tjera në seancat e ardhshme.
