Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë më 23 prill rekursin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili kërkon lirimin nga qelia dhe shfuqizimin e vendimeve të dhëna nga GJKKO dhe Apeli i saj.
Kjo është hera e tretë që Meta i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë, pasi më herët kërkesat e tij janë rrëzuar si në shkallën e parë, ashtu edhe në atë të dytë të gjyqësorit.
Sipas mbrojtjes së ish-presidentit, rrethanat kanë ndryshuar, duke argumentuar se dosja penale ndaj tij tashmë ka kaluar për gjykim, çka sipas tyre duhet të ndikojë në rivlerësimin e masës së sigurisë.
Rekursi do të shqyrtohet nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Gentian Shala, të cilët do të vendosin mbi kërkesën për lirim.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në disa episode, pastrim parash dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie.
Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet me interes të lartë, pasi do të përcaktojë nëse ish-presidenti do të vijojë të qëndrojë në paraburgim apo do të përfitojë ndryshim të masës së sigurisë ndërsa përballet me procesin gjyqësor.
Sqarim: Çdo person i akuzuar konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
