Gjykata e Lartë ka marrë një vendim përfundimtar në çështjen mes ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, dhe Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë të drejtë këtij të fundit dhe duke detyruar institucionet shtetërore ta dëmshpërblejnë.
Sipas vendimit, qeveria dhe Ministria e Brendshme duhet t’i paguajnë Nanos 100 milionë lekë të vjetra, si kompensim për shkarkimin e konsideruar të paligjshëm. Po ashtu, gjykata ka vendosur që ai të trajtohet me pagë deri në përfundim të mandatit 5-vjeçar dhe të sistemohet në strukturat e Policisë së Shtetit ose në funksione të tjera publike.
Vendimi mban datën 17 shkurt 2026 dhe ka si relator kryegjyqtarin Sokol Sadushi. Gjykata ka shfuqizuar gjithashtu vendimin e mëparshëm të qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.
Gledis Nano u shkarkua më 31 gusht 2022, pas propozimit të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe me miratim të kryeministrit Edi Rama. Arsyeja zyrtare për largimin e tij ishte “mosrealizimi i objektivave”.
Ish-kryepolici e kundërshtoi këtë vendim në gjykatë, duke e cilësuar të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin. Ai fitoi çështjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke kulmuar me vendimin e Gjykatës së Lartë, që i jep fund procesit disa-vjeçar ligjor.
Dëmshpërblimi i akorduar përfaqëson rreth 60 paga mujore, që përkojnë me periudhën e mbetur të mandatit të tij në krye të Policisë së Shtetit.
