Marklen Haka, si një nga personat më të shumëkërkuar nga SPAK, ndonëse i fshihej drejtësisë, ka dalë ditën e djeshme para Gjykatës së Posaçme, për verifikim të masës së sigurisë të dhënë në mungesë së tij. 33-vjeçari nga Nikla akuzohet si pjesëmarrës në vitin 2020 në atentatin ndaj Durim Bamit, ku sipas SPAK ka dhënë detaje për lëvizjen dhe vendndodhjen e tij, të gjitha këto të zbërthyera nga bisedat në aplikacionin SKY EC. Haka ka mohuar në gjykatë akuzat e SPAK. Nëpërmjet avokatit të tij Erjon Kullolli ai ka pretenduar dje se nuk ka konflikte me njëri dhe as me Durim Bamin dhe ditën kur ka ndodhur atentati ndaj Bamit ai ka qenë disa kilometra larg Fushë Krujës. Gjithashtu Marklen Haka ka pretenduar se nuk ka përdorur aplikacion SKY dhe gjatë kësaj periudhe dhe dyshohej se fshihej në Dubai që ka qenë në kërkim nuk është larguar nga Shqipëria. Arrestimi i Marklen Hakës u bë disa ditë më parë sipas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia. Ai ka qenë në oborrin e banesës ku fshihej kur i janë vënë prangat. Për shkak se ishte shpallur në kërkim, Haka jetonte i fshehur, dhe arrestimi i tij u krye më 6 shtator 2024, në një banesë të të afërmit të tij, ku janë gjetur dhe armë. Shpallka e tij në kërkim u bë pas akuzave ndaj SPAK për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe sigurim i kushteve për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Si ndodhi arrestimi
Arrestimi i Marklen Hakës është kryer me datë 6 shtator, pas katër ditësh monitorimi. Burime nga RENEA, thanë se kur uniformat blu kanë hyrë në banesën e tij, pikërisht aty ku fshihej në afërsi të Liqenit të Bacungut, në Nikël të Krujës, ai ka tentuar të arratiset, por është ndaluar nga forcat e policisë, ndërsa në banesë i është gjetur edhe një armë zjarri. Bashkë me të janë dhe 4 persona të tjerë të ndaluar, por ende nuk ka një akuzë ndaj tyre. Të pyetur se kujt i përket arma tjetër e gjetur në banesë ata nuk kanë pranuar të jetë e ndonjërit prej tyre. Ndërkohë, Policisë bën me dije se arrestimi i Marklen Hakës, ka qenë një operacion i një shkalle të lartë vështirësie dhe rreziku. “Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie, dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00. Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu” informoi policia e shtetit.
Tentativa për vrasjen e Durim Bamit
Marklen Haka sipas akuzave të SPAK, ka marrë pjesë në tentativën e vrasjes së Durim Bamit, ku pagesat mbuloheshin nga ‘mbreti’ i kumbarit, Ervis Martinaj. Haka, kryente rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e Durim Bami me qëllim vrasjen e tij. Këta informacione Markleni i ndante gjithashtu edhe me Emiljano Shullazin. Sipas dosjes së SPAK, thuhet se Marklen Haka shfrytëzonte njohjen me Durim Bamin dhe Valter Bamin dhe siguronte informacion në lidhje me automjetet që përdorin, vendet që frekuentojnë dhe personat që shoqërohen me Durim dhe Valter Bamin. Këto informacion Marklen Haka i ndante me Emiljano Shullazi që ndodhej në burg, me qëllim që ai t’i ndante këto informacione me personat që do të organizonin vrasjen e shtetasit Durim Bami. Kujtojmë se Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në ish-Bllok, por u lirua për mungesë provash. Më 8 qershor 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati në hyrje të Niklës në Fushë-Krujë por shpëtoi, duke marrë një plumb në nofull. Në shtator 2019 iu bë atentat, ku për fat të keq në atë kohë viktimë mbeti halla e tij. Në janar 2022 u prangos nga RENEA pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona, por edhe atëherë, u lirua.
