Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë pesë të pandehur në kuadër të dosjes së njohur si “Revanshi”, duke dhënë vendimin përfundimtar pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.
Mes të dënuarve janë ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, si dhe Armando Ndreca, vëllai i deputetit socialist Eduard Ndreca. Po ashtu, u dënuan edhe Elvis Ndreca, kushëriri i deputetit, Devis Bajramaj dhe Edison Muçeku.
Sipas vendimit të GJKKO-së:
- Adrian Pikli – 10 vite burg, i reduktuar në 6 vite e 8 muaj.
- Devis Bajramaj – 10 vite burg, i reduktuar në 6 vite e 8 muaj.
- Armando Ndreca – 11 vite burg, i reduktuar në 7 vite e 4 muaj.
- Elvis Ndreca – 8 vite burg, i reduktuar në 5 vite e 4 muaj.
- Edison Muçeku – 8 vite burg, i reduktuar në 5 vite e 4 muaj.
Në total, pesë të pandehurit u dënuan me 31 vite e 4 muaj burg, pas uljes së dënimeve për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Më herët, në fund të muajit maj, SPAK kishte kërkuar në total 56 vite burg për pesë të akuzuarit.
Dosja “Revanshi” lidhet me megaoperacionin e zhvilluar nga SPAK më 17 maj 2024, i cili goditi disa grupe të strukturuara kriminale të dyshuara për përfshirje në vrasje, trafik narkotikësh dhe veprimtari të tjera kriminale në disa qytete të vendit. Gjatë operacionit u lëshuan 50 urdhër-arreste dhe u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro.
