Bllokohet djegia e mandatit të deputetes, Komisioni i Venecias fut në ngërç shkarkimin e Olta Xhaçkës, PD dhe PS…

Data

Komisioni i Venecias publikoi dje raportin në lidhje me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, të cilin gazeta “SOT” e ka siguruar të plotë. Në konkluzion thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, por jo të diktojnë votën, duke bllokuar kështu djegien e mandatit të deputetes së ish-ministres Xhaçka. Terminologjia jashtëzakonisht teknike e përdorur në vendimin e Komisionit të Venecias po krijon interpretime të ndryshme midis shumicës socialiste dhe opozitës. Të dyja palët mendojnë se kanë arritur të mbështesin qëndrimin e tyre.

Në pikën 58 të opinionit Gjykata Kushtetuese argumenton se normalisht, kur një person gjendet duke mbajtur dy funksione që janë të papajtueshme me njëri-tjetrin, situata mund të rregullohet nga vetë personi- zakonisht duke zgjedhur njërin nga pozicionet dhe duke hequr dorë nga tjetri. Megjithatë, në rastet kur situata nuk rregullohet, pasoja e zakonshme është që personi në fjalë humbet mandatin e tij ose të saj.

Debatet

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar dje pas publikimit të opinionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës. Komisioni i Venecias, sipas Bardhit, ka konfirmuar se qëndrimi i mazhorancës përbën një shkelje kushtetuese, duke mbështetur qëndrimin e opozitës se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare. Ky opinion, vijon më tej ai, thekson rëndësinë e respektimit të shtetit ligjor dhe zbardh mashtrimet e Kryetares së Kuvendit lidhur me këtë çështje. Ky është një mesazh i fortë ndërkombëtar kundër praktikave që minojnë institucionet kushtetuese. Ndërkohë kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Klotilda Bushka mbajti dje një konferencë për shtyp pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Xhaçkës. Komisioni, sipas socialistes, konfirmon se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë për çështje jashtë kompetencës së tij dhe se deputetët kanë të drejtë të votojnë lirshëm, siç është sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e vitit 2011.

Për rastin e mandatit të deputetes Xhaçka, Komisioni thekson shton Bushka, se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi në Kuvend. Mazhoranca mbron qëndrimin se Kuvendi shqyrton çështjet e papajtueshmërisë së mandatit kur deputeti përdor pasuri publike, dhe se 1/5 e deputetëve kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për raste të tilla. Opinioni i Komisionit ka një karakter teknik dhe nuk duhet të politizohet, vijoi më tej Bushka. Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që çdo veprim të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe juridike. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ka reaguar dje në një postim në “X” për opinion e Komisionit të Venecias, duke theksuar se morën përgjigje të gjitha akuzat dhe shpifjet e opozitës. Sipas saj, qëndrimi i mazhorancës lidhur me mandatin e Xhaçks, nuk ishte as politik as partiak.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related