BE-ja e shpall Kosovën vend të sigurt të origjinës: Procedura më të shpejta azili dhe kthime më të lehta të migrantëve

Data

Këshilli i Bashkimit Evropian e ka futur Kosovën në listën e vendeve të sigurta të origjinës, një hap që synon përshpejtimin e procedurave të azilit dhe rritjen e efektivitetit në kthimin e migrantëve që nuk përmbushin kriteret për mbrojtje brenda BE-së. Ky vendim e bën më të vështirë për qytetarët kosovarë të marrin azil në shtetet anëtare.

Përveç listës së vendeve të sigurta të origjinës, Këshilli ka arritur pajtueshmëri edhe për konceptin e “vendeve të treta të sigurta”, një mekanizëm që pritet të ndikojë ndjeshëm në mënyrën si trajtohen kërkesat për azil në nivel europian.

Kosova është përfshirë në listë së bashku me Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë. Tani, Këshilli dhe Parlamenti Evropian duhet të harmonizojnë tekstin përfundimtar të akteve ligjore përpara miratimit final.

Ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund, e cilësoi vendimin si një moment historik. Ai theksoi se lista e unifikuar e BE-së do të mundësojë procedura më të shpejta dhe më efikase, si edhe kthimin më të lehtë të atyre që nuk gjejnë arsye të vlefshme për mbrojtje.

Vendimi vjen në një kohë kur numri i aplikimeve për azil nga qytetarët e Kosovës është rritur ndjeshëm pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024. Në disa muaj, fluksi ka qenë më i larti që nga vala e madhe e emigrimit në vitet 2015–2016. Franca, që prej vitit 2018, ka qenë destinacioni kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil.

Sipas rregullores së procedurës së azilit të miratuar në vitin 2024, shtetet anëtare duhet të zbatojnë procedura të përshpejtuara për aplikantët nga vendet e sigurta të origjinës dhe mund t’i shqyrtojnë kërkesat në kufi ose në zonat e tranzitit. Logjika e këtyre rregullave bazohet në parimin se qytetarët nga vendet e sigurta, si Kosova, gëzojnë mbrojtje të mjaftueshme dhe zakonisht nuk përballen me forma përndjekjeje apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Komisioni Evropian propozoi këto akte ligjore në fillim të vitit, si pjesë e përpjekjeve për të reformuar sistemin e azilit dhe migracionit në BE, një çështje që ka qenë në qendër të debatit politik për vite me radhë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related