Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka hedhur idenë e krijimit të një kapaciteti bërthamor të përbashkët europian, duke argumentuar se Europa nuk mund të mbështetet më plotësisht te garancitë tradicionale të sigurisë.
Në një intervistë për gazetën gjermane Tagesspiegel, Fischer deklaroi se garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nuk janë më të besueshme si më parë dhe se Europa duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e saj.
“Garancitë e sigurisë amerikane nuk janë më të besueshme nga ky moment. Gjermania ka përgjegjësi për udhëheqje në Europë, por gjithmonë vetëm së bashku me të tjerët”, u shpreh Fischer.
Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për zhvillimin e një bombe bërthamore gjermane, por për një armë bërthamore të përbashkët të vendeve të Bashkimit Europian, si instrument parandalues dhe mbrojtës në një mjedis global gjithnjë e më të pasigurt.
Fischer theksoi gjithashtu se koncepti i çarmatimit nuk është më realist në kushtet aktuale dhe se armatimi ushtarak është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së kontinentit.
“Vetëm përmes forcës dhe parandalimit mund të shmanget një sulm. Kjo është mënyra e vetme për të ndalur një fqinj të gatshëm për agresion”, tha ai, duke pranuar se ky qëndrim bie ndesh me bindjet e tij të mëparshme politike.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta thosha këtë. E gjithë karriera ime politike tregonte të kundërtën”, shtoi Fischer.
Propozimi vjen në një moment kur debati mbi autonominë strategjike europiane dhe rolin e NATO-s është intensifikuar, ndërsa tensionet ndërkombëtare dhe pasiguritë gjeopolitike vazhdojnë të rriten.
