Vrasja e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Lezhë vijon të ngrejë shqetësime të mëdha, ndërsa zëra nga shoqëria civile e lidhin ngjarjen me fenomene të vjetra të konflikteve mes familjeve.
Pjetër Gjoka, misionar për pajtimin e gjaqeve, deklaroi se ngjarja nuk duhet parë thjesht si hakmarrje, por si një rast i pastër gjakmarrjeje, i lidhur me një konflikt të hershëm që nuk është zgjidhur prej vitesh.
Sipas tij, rrënjët e kësaj historie datojnë që në vitin 2016, kur ndodhi një vrasje për të cilën u akuzua edhe Kreshnik Mujeci së bashku me familjarë të tij. Gjoka theksoi se kjo çështje ka mbetur e hapur për rreth një dekadë, duke krijuar tensione të vazhdueshme mes palëve.
Ai e cilësoi ngjarjen si “makabre”, duke vënë theksin te fakti që viktimë mbeti edhe bashkëshortja e Mujecit. Sipas tij, në traditën shqiptare vrasja e një gruaje konsiderohet një akt i rëndë dhe i papranueshëm.
“Është tronditëse që një krim i tillë ndodh në mes të ditës dhe lë pas katër fëmijë jetimë”, u shpreh Gjoka.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pistat e motivit mbeten ende në shqyrtim.
