Aktivisti dhe eksperti i teknologjisë së informacionit, Gent Progni, mbajti një fjalim gjatë protestës së 28-të kombëtare të zhvilluar përpara godinës së Kryeministrisë, ku kritikoi qeverinë dhe një prej bashkëpunëtorëve të saj, Endri Fuga.
Në fjalën e tij, Progni pretendoi se rikthimi i Fugës në një rol pranë kryeministrit lidhet me përpjekje për të ndikuar në komunikimin publik dhe në rrjetet sociale.
“Unë dola sot të flas për blerjen e re të merkatos së korrupsionit që është Endri Fuga. Rama e solli nga larg për të prishur algoritmin, por më besoni se ka bërë gabimin e jetës,” deklaroi ai nga podiumi.
Më tej, Progni pretendoi se disponon informacione që, sipas tij, duhet të hetohen nga organet kompetente.
“Tani që u kthye, do të përgjigjet edhe Endri Fuga, sepse kemi informacion edhe për korrupsionin e tij,” u shpreh ai, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të verifikojnë çdo pretendim në përputhje me ligjin.
Deklaratat e aktivistit u pritën me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të pranishëm përpara Kryeministrisë, ku protesta vijoi me fjalime dhe thirrje kundër qeverisë.
