Qytetarë të mbledhur në kuadër të protestës jopartiake zhvilluan mbrëmjen e së shtunës marshimin e radhës në Tiranë, në atë që organizatorët e konsiderojnë ditën e 22-të të mobilizimit qytetar.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë lëvizjes së tyre nëpër kryeqytet, ata kaluan edhe pranë zonës së njohur si “Fan Zone”, ndërsa dëgjoheshin thirrje drejtuar qytetarëve të tjerë për t’iu bashkuar protestës.
“Bashkohuni me ne!”, ishte një nga thirrjet më të përsëritura gjatë marshimit.
Pas mbërritjes para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan një sërë fjalimesh, ku u diskutuan çështje të ndryshme që lidhen me kauzën e tyre. Më pas, tubimi vijoi me marshim në disa prej rrugëve të kryeqytetit.
Megjithatë, në një moment gjatë qëndrimit para Kryeministrisë, u shënuan debate mes disa pjesëmarrësve lidhur me rendin e fjalimeve. Situata solli reagimin e një prej organizatorëve me megafon, i cili kërkoi qetësi dhe u bëri thirrje protestuesve të ruajnë unitetin.
“Duhet të jemi të bashkuar”, u tha ai pjesëmarrësve, duke synuar normalizimin e situatës dhe vijimin e aktivitetit pa tensione.
