Avokati Genc Gjokutaj ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ai ka vënë institucionet shtetërore në funksion të mbrojtjes së korrupsionit.
Në një intervistë televizive, Gjokutaj u ndal veçanërisht te çështjet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke pretenduar se pas këtyre zhvillimeve, Rama ka ndryshuar qëndrim ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, kryeministri fillimisht e promovoi drejtësinë e re si sukses, por më pas filloi të sulmojë prokurorët sapo u prekën interesa të caktuara. Ai shtoi se reagimet e fundit janë “lëvizje me rrezik”, ndërsa akuzoi Ramën për ndërhyrje në institucione.
“Rama mund të bëjë gjithçka, por duhet të kuptojë që korrupsioni dhe i vdekuri nuk kanë derman pa u varrosur, nuk e ngjall dot më të vdekurin,” u shpreh Gjokutaj.
Avokati pretendoi se janë bllokuar institucione të rëndësishme si gjykatat dhe organet kushtetuese për të mbrojtur një individ të vetëm, duke e cilësuar këtë si një devijim serioz nga parimet e shtetit ligjor.
Në përfundim, ai theksoi se pasojat nuk prekin vetëm figurat politike, por imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se sipas tij vendi po ndjek një politikë të paqëndrueshme dhe të orientuar nga interesat e momentit.
