“1 vit nga marrja e mandatit të grabitur nga bandat”, këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër akuza të forta ndaj Becit: Propagandë me mbetjet, i vetmi pastrim është ai i largimit të punonjësve nga puna

Data

Çështja e mbetjeve është kthyer në një problematikë për qytetarët e Shkodrës, për këtë ka reaguar edhe opozita, duke publikuar pamje të kazanëve të mbeturinave, të cilat janë të mbushura plot, madje nga fotot shihet qartë që plehrat janë shpërndarë edhe rrugëve të qytetit.

Këshilltarja demokrate Eliona Kodra Shkreli me anë të një reagimi në rrjetet sociale, ka akuzuar Bashkinë Shkodër për propagandë, duke shtuar më tej se mandati i kryebashkiakut Benet Becit, është i siguruar nga bandat, miq të kryeministrit.

Sipas Shkrelit, i vetmi pastrim që po bën administrata e Becit, është ai i largimit të punonjësve nga puna.

Reagimi i plotë:

“Ndërkohë që Bashkia Shkodër dhe titullari i saj reklamojnë pothuajse çdo ditë nën hashtagun #ShkodërePastër, pamje propaganduese të punëve fasadë që bëhen në pastrimin e mbeturinave, situata është krejt ndryshe nga ajo që I shitet shkodranëve!
Nëse hedh sytë në qytet gjatë pasditeve, kazanët e mbeturinave janë të stërmbushur e të rrethuar me mbeturina edhe në tokë, një imazh aspak I bukur për Shkodrën turistike e cila tashmë duhet të përgatitet për pritjen e turistëve me ardhjen e stinës së verës.
Në vetëm 5 minuta, në 3 pika të ndryshme të qytetit, situata e mbeturinave është kjo në fotot e mëposhtme.
Të parat janë të shkrepura tek shkolla austriake “Peter Mahringer”, të tjerat përballë Oratorit “Dom Bosco” ose në rrugën e gjykatës, ndërsa të fundit në rrugën kryesore pranë shkollë “Ndoc Mazi”!
Po mbushet pothuajse 1 vit nga marrja e mandatit të grabitur nga bandat (miq të kryeministrit, të deleguarës politike dhe të kryebashkiakut aktual) dhe kreu i Bashkisë akoma nuk ka arritur të mbajë kryepremtimin e Shkodrës së pastër.
Ndërkohë që sulmonte pa fund së bashku me udhëheqësin e tij, kryebashkiakët e shkuar të Shkodrës për keqmenaxhim të mbetjeve në qytet, duket se dështimin më të madh në këtë drejtim po e bën pikërisht Ky që u mburr se ardhja e tij në krye të institucionit të Bashkisë do pastronte ato çka lanë pas paraardhësit e tij.
Në fakt i vetmi pastrim që po bën administrata tiranase e Becit është ai i largimit të punonjësve nga puna, ku meraku më i madh dhe prioritar mbetet pastrimi i administratës nga demokratët.
Dështoi me mbetjet, dështoi me qentë endacakë, dështoi me menaxhimin e trafikut, dështoi me festat e fundvitit, dështoi me Karnevalet, dështoi me kinemanë…
Shkodra vazhdon e mbushur me mbeturina të cilat (siç duket) do vazhdojnë të mbeten problemi kryesor edhe këtë verë në Shkodrën turistike.”, shkruan këshilltarja demokrate Shkreli.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related