Në seancën maratonë të zhvilluar gjatë natës në Kuvend, u miratuan edhe disa ndryshime në Kodin Penal, mes tyre edhe dispozita që lidhen me veprat penale ndaj fëmijëve. Por një nga nenet e miratuara ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si është formuluar.
Gazetari Isa Myzyraj ka denoncuar publikisht një nga pikat e reja të Kodit Penal, duke theksuar se neni në fjalë është miratuar me nxitim dhe përmban probleme të rënda gjuhësore dhe juridike. Sipas tij, teksti është i shkruar keq dhe i përkthyer në mënyrë skandaloze, duke krijuar paqartësi serioze për interpretimin ligjor.
Myzyraj thekson se, megjithëse qëllimi i ndryshimeve ka qenë i drejtë dhe në funksion të forcimit të mbrojtjes së fëmijëve, mënyra se si janë hartuar dispozitat tregon mungesë profesionalizmi dhe kujdesi.
“Qëllimi ka qenë dashamirës, por dëshira për t’u dukur sikur po bëjmë ‘namin’ me përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Evropian po prodhon gafa të mëdha, deri në qesharake”, shprehet gazetari.
Ai kritikon faktin se ligje kaq të ndjeshme janë miratuar në orët e para të mëngjesit, pa një debat të thelluar dhe pa një verifikim serioz të përkthimit dhe formulimit juridik.
Sipas tij, ligjet nuk mund të miratohen “sa për të thënë”, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme si abuzimi seksual i fëmijëve, ku çdo paqartësi në tekst mund të sjellë pasoja të rënda në zbatimin praktik të ligjit.
Gazetari u bën thirrje juristëve dhe publikut që të lexojnë me kujdes nenin e miratuar dhe të reflektojnë mbi kuptimin real të tij, duke ngritur shqetësimin se një ligj i shkruar keq rrezikon të dështojë pikërisht aty ku synon të mbrojë më shumë.
