Misioni i Ramës: Shpopullimi total i Shqipërisë – eksod, dëshpërim dhe një komb në ikje të pandalshme

Data

Ndonëse Shqipëria është një nga shtetet më të vogla të Europës, shtetasit e saj janë të shpërndarë masivisht nëpër vendet e Bashkimit Europian, duke e renditur vendin ndër kombësitë kryesore të shtetasve jo-BE që jetojnë si rezidentë në territorin e BE-së.

Kur emigracioni krahasohet me madhësinë reale të popullsisë, Shqipëria jo vetëm që del në pah, por kryeson bindshëm listën në Europë, duke reflektuar përmasa alarmante të largimit të qytetarëve nga vendi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, shtetasit shqiptarë u renditën në vendin e 11-të në vitin 2024 në grafikun e kombësive kryesore jo-BE që janë rezidentë në Bashkimin Europian, në terma absolutë. Në total, rreth 550 mijë shqiptarë rezultojnë të regjistruar si rezidentë në vendet e BE-së, kryesisht në Itali.

Megjithatë, ky numër nuk përfshin Greqinë, e cila mungon në grafikun e Eurostat, por ku sipas burimeve të ndryshme jetojnë të paktën 500 mijë shqiptarë të tjerë. Nëse edhe Greqia do të përfshihej, numri total i shqiptarëve në BE do të kalonte 1 milion banorë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e katërt në Europë në vlerë absolute, pas Ukrainës, Turqisë dhe Marokut.

Por tabloja bëhet edhe më dramatike kur shifrat normalizohen sipas popullsisë së mbetur në vendin e origjinës.

Me rreth 550 mijë shtetas në BE dhe një popullsi rezidente prej rreth 2.36 milion banorësh, Shqipëria arrin në 230 emigrantë për çdo 1,000 banorë – një shifër dukshëm më e lartë se çdo vend tjetër në grafik, edhe pa përfshirë Greqinë.

Për krahasim, treguesi për vendet e tjera të rajonit është ndjeshëm më i ulët:

  • Kosova: 218 emigrantë për 1,000 banorë
  • Bosnja dhe Hercegovina: 125
  • Maqedonia e Veriut: 107
  • Serbia: 68

Nëse përfshihet edhe Greqia, pesha e emigracionit shqiptar rritet ndjeshëm, duke arritur në rreth 466 emigrantë për 1,000 banorë. Praktikisht, afërsisht 1 në 2 shqiptarë jeton sot në Bashkimin Europian, një tregues ekstrem që e vendos Shqipërinë absolutisht në krye të listës në raport me popullsinë.

Dallimi bëhet edhe më i qartë kur Shqipëria krahasohet me shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, por që kanë popullsi shumë më të mëdha në vendin e origjinës.

Sipas Eurostat:

  • Ukraina ka rreth 2.6 milion shtetas në BE, por me një popullsi prej rreth 39 milion banorësh, kjo përkthehet në 67 emigrantë për 1,000 banorë.
  • Turqia, me rreth 1.7 milion shtetas në BE dhe një popullsi prej 85 milionësh, ka vetëm 20 emigrantë për 1,000 banorë.
  • Maroku, me rreth 1.5 milion shtetas në BE dhe një popullsi prej 37 milionësh, arrin në 41 emigrantë për 1,000 banorë.

Ky krahasim nxjerr në pah një realitet të zymtë: edhe pse Shqipëria nuk renditet në “top 10” për nga numri absolut i emigrantëve, ajo kryeson Europën kur emigracioni matet në raport me popullsinë, duke reflektuar një fenomen shpopullimi me përmasa historike për një vend kaq të vogël.

Një eksod i tillë, në këto nivele, nuk është thjesht statistikë. Ai përfaqëson ikjen e rinisë, humbjen e fuqisë punëtore, zbrazjen e qyteteve dhe fshatrave, si dhe një krizë të thellë demografike që po rrezikon vetë ekzistencën e vendit.

Shifrat flasin qartë: Shqipëria po përjeton një shpopullim që nuk ka precedent në Europë – një realitet që gjithnjë e më shumë shihet si pasojë direkte e keqqeverisjes, mungesës së perspektivës dhe dështimit politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related