Në QSUT “Nënë Tereza” është hapur gara për emërimin e drejtuesve të rinj në nëntë shërbime kryesore, pas daljes në pension të shefave aktualë.
Procesi ka nisur që prej 10 shkurtit dhe tashmë është drejt fazës përfundimtare, ku komisioni po shqyrton dosjet e kandidatëve që synojnë drejtimin e disa prej shërbimeve më të rëndësishme spitalore.
Ndër shërbimet ku priten ndryshime janë Anestezi-Reanimacioni, Neurologjia, Onkologjia, Dermatologjia, Reumatologjia dhe Nefrologjia Pediatrike.
Gara më e fortë raportohet në shërbimin Onkologjik dhe atë të Neurologjisë. Në këtë të fundit konkurrojnë tre emra: Prof. Ilirjana Zekja, Dr. Altin Kuqo dhe Dr. Gentian Vyshka.
Në shërbimin e Toksikologjisë Klinike janë katër kandidatë, mes tyre edhe drejtuesi aktual Prof. Andrin Tahiri, ndërsa për disa shërbime gara është formale pasi ka vetëm një kandidat.
Kështu, në Anestezi-Reanimacion pritet të vijojë Prof. Krenar Lilaj, në Dermatologji Prof. Monika Fida, ndërsa në Nefrologjinë Pediatrike Prof. Diamant Shtiza.
Për drejtimin e shërbimeve, kandidatët duhet të plotësojnë kritere të forta akademike dhe profesionale, si tituj shkencorë, përvojë pedagogjike dhe klinike, si dhe të paraqesin një platformë strategjike 4-vjeçare për zhvillimin e shërbimit.
Vendimi përfundimtar për emërimet pritet të merret pas vlerësimit të plotë të dosjeve nga komisioni përkatës.
