Partia e Lirisë kërkon hetim ndërkombëtar për arrestimin me 21 tetor 2024 të kryetarit të saj Ilir Meta, në atë aksion që e quan rrëmbim të paprecedentë, që kalon edhe atë të navalnit në Rusi. Sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi, doli dje në një deklaratë të radhës për mediat, ku akuzoi edhe drejtësinë që është vendosur nën kontrollin dhe keqpërdorimin e qeverisë, duke mbajtur në izolim të paligjshëm kreun e partisë. “Nuk ekziston më asnjë dyshim: rrëmbimi kriminal i Ilir Metës është i motivuar politikisht, i orkestruar në mënyrë kriminale nga një regjim që po përpiqet të eliminojë opozitën dhe t’i mbyllë gojën çdo zëri kritik përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 dhe pas tyre.
Për fat të keq, mënyra se si u ekzekutua ky operacion ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm. As regjimet autoritare nuk i kanë lejuar vetes akte të tilla. As regjimi i Vladimir Putinit nuk e ka arrestuar Aleksei Navalnyn në këtë mënyrë, në mënyrë kaq brutale, barbare dhe të poshtër. Përkundrazi, siç mund ta konstatoni lehtësisht regjimi autoritar i Putinit u kujdes në dukje të arrestonte Navalnyn me forca të rregullta policie, të identifikuara, që i paraqitën atij një urdhër-ndalimi, i lejuan të drejtën të prononcohej edhe për mediat e të takonte bashkëshorten e tij, u shoqërua pa dhunë, pa u tërhequr zvarrë, pra formalisht me procedura të rregullta.
Ndryshe nga rasti Navalny, autoritetet shqiptare nuk kanë bërë asnjë përpjekje formale për të justifikuar masat ekstreme të përdorura, nuk kanë vërtetuar asnjë rrezik të pretenduar nga z. Meta, nuk kanë respektuar as të drejtat procedurale minimale, nuk kanë komunikuar vendim gjykate, nuk kanë dhënë asnjë sqarim ligjor, nuk i kanë dhënë të drejtën të kontaktojë avokatin. Çdo element i këtij “operacioni” është shkelje e hapur e nenit 25 të Kushtetutës dhe nenit 3 dhe 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha ai ndër të tjera.
