Komisioni i Përzgjedhjes ka publikuar sot rezultatet e fazës së parë të shqyrtimit paraprak të aplikimeve për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në total u shqyrtuan aplikimet dhe dokumentacioni i 13 kandidatëve, ndërsa vetëm 7 prej tyre kaluan në fazën tjetër të konkurimit.
Komisioni i Përzgjedhjes në mbështetje të nenit 148/dh të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 34, të ligjit nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, të ndryshuar, në Rregulloren datë 06.01.2020, “Për procesin e Përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së”, si dhe në njoftimin “Thirrje për aplikim për pozicionin “Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit”, në mbledhjen datë 25.06.2025 shqyrtoi aplikimet dhe dokumentacionin e depozituar nga 13 (trembëdhjetë) aplikues për pozicionin Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
