Pas një séance maratonë për masë sigurie, Gjykata e Posaçme e Apelit shpalli më 13 mars vendimin për lënien në fuqi të masës së arrestit me burg për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Vendimi i Apelit u parapri nga një tension i shtuar mbi institucionet e drejtësisë, ndërkohë që SPAK ofroi prova të reja; kryesisht përgjime të komunikimeve telefonike të Veliajt nga qelia me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe vëllanë Arbër Veliaj, të cilat u shqyrtuan në Apel përpara vendimit të masës së sigurisë.
Një pjesë e këtyre përgjimeve, të publikuara gjatë ditëve të fundit nga portali CNA, sugjerojnë se Veliaj orkestroi nga qelia një fushatë mediatike kundër prokurorit Olsi Dado, gjyqtarit në shkallë të parë, Erion Bani dhe zyrtarëve të tjerë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit.
“..duhet mbajt presingu lal se dita e martë është e pandryshueshme, kështu që katër ditë kemi. Three days to freedom,” citohet Veliaj në njërën prej bisedave të publikuara me të vëllanë përpara vendimit të Apelit.
“Thuaju këtyre që ta shpërndajnë sa më shumë dhe ta mbajnë presionin, se këto katër ditë janë vendimtare. Domethënë, o dal këto katër ditë, o rri këtu dhe katër muaj,” shtohet në dokument një tjetër bisedë me Xoxën.
