Fundvit i acartë në Kukës, bora mbulon zonat malore dhe temperaturat zbresin deri në -16°C

Data

Dita e fundit e vitit 2025 ka sjellë pamje të bardha dimërore në qarkun e Kukësit, ku reshjet e dëborës kanë përfshirë fshatrat e zonave të thella malore. Bora ka rënë në njësitë administrative Gryk-Çajë, Kalis, Bicaj, Topojan, Zapod dhe Shishtavec, duke krijuar një panoramë tipike dimri.

Fatmirësisht, trashësia e dëborës ka qenë e vogël dhe nuk janë raportuar bllokime të rrugëve rurale apo nacionale. Megjithatë, temperaturat ekstremisht të ulëta kanë sjellë ngrica dhe akull në shumë segmente rrugore, duke e bërë qarkullimin më të vështirë.

Qarku i Kukësit është zgjuar nën ndikimin e të ftohtit të fortë, me temperatura që në zonat urbane kanë zbritur deri në -3 gradë Celsius, ndërsa në zonat e thella malore termometri ka shënuar vlera deri në -16 gradë Celsius. Këto kushte kanë favorizuar formimin e akullit, sidomos gjatë orëve të mëngjesit.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët rurale, ku shtresa e hollë e dëborës ka mbuluar akullin e formuar mbi asfalt. Rreziku për rrëshqitje mbetet i lartë.

Në akset nacionale si Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kamn–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Tropojë–Fierzë–Qafë Mali është konstatuar prezencë bore dhe akulli. Qarkullimi lejohet vetëm për mjetet e pajisura me goma dimërore ose zinxhirë.

Firmat kontraktore vijojnë punën në terren për hedhjen e kripës dhe mbajtjen e rrugëve të hapura, ndërsa autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe respektim të rregullave të qarkullimit në këto kushte të vështira dimërore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related