Brenda këtij muaji pritet të nisë zyrtarisht aplikimi i tarifave për kalimin në Tuneli i Llogarasë, duke i dhënë fund periudhës së kalimit falas që nga hapja e tij në maj 2025.
Tuneli, me gjatësi 5.9 kilometra, do të ketë tarifa të diferencuara sipas kategorisë së mjeteve. Pagesa minimale do të jetë 100 lekë për motoçikletat, ndërsa maksimumi arrin deri në 5000 lekë për mjetet e tonazhit të rëndë.
Për automjetet e zakonshme, tarifa është vendosur 250 lekë për një kalim, ose 500 lekë vajtje-ardhje. Ndërkohë, mjetet me karroceri do të paguajnë rreth 500 lekë, ndërsa furgonët dhe autobusët deri në 1000 lekë.
Në terren po kryhen testet e fundit për sistemet elektronike të pagesës, përfshirë kamerat e sigurisë dhe pajisjet e kontrollit, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt dhe pa probleme në momentin e nisjes së tarifimit.
Menaxhimi i pagesave do të bëhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, ndërsa pritet që me vendim qeverie të përcaktohen edhe tarifat për përdoruesit me parapagim apo për banorët rezidentë.
Nga pagesa do të përjashtohen mjetet e emergjencës, si policia, ambulancat, zjarrfikëset dhe ushtria, si dhe personat me aftësi të kufizuara.
Tuneli i Llogarasë konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, pasi lehtëson ndjeshëm qarkullimin drejt bregdetit, por tashmë përdorimi i tij do të ketë një kosto për qytetarët.
