Masat e sigurisë për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, janë forcuar ndjeshëm së fundmi.
Garda e Republikës ka shtuar katër truproja të tjera për shoqërimin e tij, duke e çuar në tetë numrin total të bodygardëve që kujdesen për sigurinë e prokurorit. Ata janë të organizuar në dy grupe që merren me shoqërimin dhe mbrojtjen e tij në përditshmëri.
Vendimi për rritjen e nivelit të sigurisë është marrë nga komisioni i mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pak javë më parë miratoi kërkesën për masa shtesë sigurie për Dumanin, pas vlerësimit të rreziqeve të mundshme ndaj figurave kyçe të drejtësisë.
Ndërkohë, masa shtesë sigurie janë marrë edhe për drejtuesin aktual të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho. Edhe për të janë shtuar dy truproja të tjera, duke e çuar në tetë numrin e personave të angazhuar për shoqërimin dhe mbrojtjen e tij.
Shtimi i truprojave për dy drejtuesit e SPAK vjen në një kohë kur institucioni vijon hetimet për çështje të rëndësishme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Masat synojnë të garantojnë një nivel më të lartë sigurie për drejtuesit e prokurorisë gjatë ushtrimit të detyrës.
