Në pikën kufitare të Morinit, fundi i muajit maj u shënua nga kolonat e para të automjeteve që vinin nga Kosova. Rritja e temperaturave dhe nisja e sezonit veror kanë sjellë një shtim të ndjeshëm të lëvizjes së qytetarëve drejt bregdetit shqiptar. Që në orët e para të mëngjesit, sportelet kufitare kanë funksionuar me kapacitet të plotë për të përballuar fluksin në rritje.
Autoritetet konfirmojnë se, falë marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, procedurat janë përshpejtuar ndjeshëm, duke e bërë kalimin më të shpejtë dhe më të lehtë.Në pikën kufitare Morinë–Vërmicë janë vënë në funksion 8 sportele në hyrje dhe 8 në dalje, një masë kjo që ka ndihmuar në shmangien e pritjeve të gjata që zakonisht karakterizojnë fundjavat me fluks të lartë.Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 24 orët e fundit përmes kësaj pike kufitare kanë kaluar rreth 30 mijë udhëtarë, përfshirë afro 8,500 automjete dhe 87 autobusë.
