Ora e arrestimeve të “VIP”-ave të korrupsionit po vjen. Gazeta ka mësuar se në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë drejt përfundimit të afateve të hetimit disa dosje të zjarrta, të cilat pritet të tronditin themelet e politikës. Sipas informacioneve, SPAK pritet të firmosë dhjetëra fletë arresti, ku në pranga do të bien zyrtarë të pushtetit vendor, ish-ministra, ministra dhe politikanë të lartë
Javët në vijim do ketë lëvizje të bujshme nga Prokuroria e Posaçme dhe kjo është arsyeja që pushtetarët e korruptuar janë alarmuar dhe kanë nisur gjënë që dinë të bëjnë më mirë, kërcënime dhe shantazhe. Ka një presion të jashtëzakonshëm nga pushtetarët e korruptuar që drejtësia të mos merret këto çështje. Madje disa prej tyre kanë dalë publikisht duke kërcënuar Altin Dumanin dhe prokurorët që po hetojnë dosjet e tyre korruptive. Kemi Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Flamur Nokën dhe shumë të tjerë nga opozita që vazhdojnë ditë-natë të sulmojnë drejtësinë për shkak të hetimeve.
Ata flasin dhe me emra prokurorësh, të cilët i quajnë ushtarë të Ramës. Madje ka patur kërcënime dhe me jetë nga personazhe të botës së krimit për hetuesit e SPAK. Nga ana tjetër, institucionet ndërkombëtare kanë nisur një “fushatë” mbrojtjeje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Telashe të tjera për Ilir Beqajn
I ndodhur në qeli për hetimet që po kryen për fondet e SASPAC, Ilir Beqaj rrezikon të dënohet nga SPAK për dosjen e sterilizimit. Seanca ndaj tij është shtyrë 4 herë. Në korrik arsyeja ishte për shkak të mungesës së mbrojtjes për një nga të pandehurit. Kjo mungesë e pajustifikuar e një avokati, u bë shkak i pezullimit të afteve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit. Beqaj pritet të dalë para drejtësisë sërish më 12 shtator.
Kujtojmë se ish-ministri i Shëndetësisë është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check-up. Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro në burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Kupola e mazhorancës në ankth
Përveç Beqajt, është edhe afera e inceneratorit të Tiranës që po hetohet nga SPAK. Kësaj dosjeje i përfundojnë afatet e hetimit në shtator. Kjo është një nga aferat më të mëdha korruptive, pasi ka gllabëruar me qindra miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë, por në realitet nuk ekziston. Është një aferë që mban brenda një aferë tjetër si ajo e dherave, e cila u ka kushtuar qytetarëve 60 milionë euro.
Pritet të ketë masa të tjera për pronarë mediash, por dhe ortakë të kompanisë së inceneratorëve, të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, po ashtu dhe për persona të tjerë publikë, por edhe të huaj, që janë të përfshirë në pastrim parash, transferta të shumta në mijëra euro apo shit-blerje pronash e pasuri të paluajtshme. Gazeta shkroi pak ditë më parë se kjo dosje përmban emra “peshash të rënda” dhe doli se është aq përvëluese sa po djeg dhe “duart” e prokurorëve specialë.
Mjaftojmë të shohim emrat që kanë zbarkuar në SPAK gjatë kësaj kohe. Është kupola e mazhorancës që ka dhënë llogari. Madje aty del dhe firma e kryeministrit Edi Rama. Presioni është shumë i madh. Këtë herë situata është më e nxehtë pasi është e përlyer edhe media. Ka pagesa prej miliona eurosh në kompani offshore.
Familja Berisha-Meta dhe bashkëpunëtorët e tyre
Nga ana tjetër afera e grabitjes së terreneve të ish-klubit “Partizani” duket se po shkon drejt fundit të hetimeve. Së fundmi kanë dhënë shpjegime para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ish-ministrat e qeverisë “Berisha 2”, por edhe personazhe të tjerë kyçë. Muajin tjetër, përfundon afati i hetimeve dhe gjetjet e SPAK pritet të fundosin Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe bashkëpunëtorët e tyre në këtë aferë
