Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se interesimi për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026 ka qenë i lartë që në ditën e parë të aplikimeve.
Sipas tij, deri tani mbi 5 mijë fermerë nga e gjithë Shqipëria kanë aplikuar online për të përfituar nga masat mbështetëse të skemës.
“Para se të vija këtu mora një shifër dhe deri tani janë mbi 5 mijë fermerë që janë online duke aplikuar. Në një kohë shumë të shkurtër ka shumë interes”, u shpreh ministri.
Aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 25 maj dhe do të vijojnë deri më 25 qershor 2026. Skema parashikon 12 masa mbështetëse për sektorët kryesorë të bujqësisë dhe blegtorisë, me një fond total prej 5.2 miliardë lekësh.
Andis Salla sqaroi gjithashtu se do të vijojë procesi i kompensimit edhe për subjektet që kanë pasur vonesa në përfitimet nga Skema e Investimeve.
Ai bëri me dije se 22 subjekte, të cilat nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet, mbeten pjesë e përfitimeve për vitin 2025.
“Me udhëzimin e ri kemi vendosur që edhe këto 22 subjekte të jenë pjesë e përfitimit. Brenda pak ditësh procedurat e tyre janë të përfshira në buxhet”, deklaroi ministri.
