Dy firmat që “përmbytën” Durrësin në fund të muajit janar 2025, kanë fituar një tjetër procedurë të majme nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve. Firma “Adriatik” dhe “2T”, të cilat morën nga Bashkia e Durrësit plot 20 milionë euro për të ndërtuar kanalet dhe hidrovorin, janë bashkuar sërish bashkë, ku kësaj herë kanë arritur që të fusin në xhep plot 8.4 milionë euro.
Duket se, çudia më e madhe 3 ditë zgjat në Shqipëri, pasi asnjë institucion nuk denjoi të paktën të hapte letrat e projektit në Durrës, projekt i cili ka dështuar. Dhe tashmë, disa javë më vonë, të njëjta kompani me lidhje të forta me mazhorancën aktuale, kanë arritur që të fitojnë sërish para publike. Por, ajo që bie më shumë në sy është se kjo BOE do të bëjë kanalet e ujërave të zeza në zonën e plazhit në Spille?
Tani, duke parë edhe historinë, me të drejtë lindin shumë pyetje: A do të përsëritet historia? Kur projekti i Durrësit u vonua 2 vjet, a mban ndokush përgjegjësi? Duket se, në këtë vendin tonë, skandali kap skandalin, ku gjithkush tenton që të gllabërojë paratë publike, në forma nga më të ndryshmet.



