Dhoma Amerikane kundër “Paqes Fiskale”: Skema nxit pastrimin e parave dhe legalizon kapitalin e dyshimtë

Data

Në të njëjtën ditë kur Kuvendi pritet të shqyrtojë paketën e re fiskale, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka publikuar një deklaratë të fortë kundër projektligjit “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, duke ngritur shqetësime serioze mbi pasojat juridike, ekonomike dhe fiskale të kësaj nisme.

Sipas Dhomës, projektligji krijon terren të rrezikshëm për legalizimin e kapitalit të dyshimtë, rrit rrezikun për pastrim parash, cenon konkurrencën e ndershme dhe minon administrimin tatimor. Deklarata shkon edhe më tej, duke paralajmëruar se drafti bie ndesh me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe praktikat e mira të qeverisjes fiskale.

Ky qëndrim vjen pak ditë pasi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu kundërshtimin e tij, duke paralajmëruar se nisma mund të minojë progresin e Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të rrisë rreziqet fiskale.

1. Rrezik i madh për konkurrencën e ndershme

Dhoma Amerikane paralajmëron se projektligji vendos bizneset e rregullta në një disavantazh alarmant, ndërsa favorizon subjektet që:

  • kanë shmangur detyrimet tatimore ndër vite,
  • kanë deklaruar fitime artificialisht të ulëta,
  • do të përfitojnë automatikisht nga baza e ulët e llogaritjes.

Formula e detyruar për rritjen e fitimit me 18%, pavarësisht performancës, konsiderohet arbitrare dhe e padrejtë, duke u kthyer në një goditje për tatimpaguesit korrektë.

2. Mundësi reale për legalizimin e kapitalit të dyshimtë

Një nga shqetësimet më të rënda:

  • Rideklarimi i pasqyrave financiare të 5 viteve të fundit,
  • Pa justifikime, pa dokumentacion mbështetës,
  • Tatim vetëm 5%, edhe mbi fonde të paraportuara më herët.

Dhoma e sheh këtë si një formë të tërthortë amnistie fiskale, me mundësi të qartë legalizimi të kapitaleve me origjinë të dyshimtë.

Ky mekanizëm, paralajmëron Dhoma, rrezikon:

  • reputacionin ndërkombëtar të vendit,
  • raportin me BE dhe Moneyval,
  • përputhjen me standardet e OECD kundër evazionit (BEPS).

3. Dobësim i administrimit tatimor

Sipas Dhomës, drafti:

  • redukton dukshëm fuqinë e kontrollit tatimor,
  • e kufizon atë vetëm në verifikime administrative,
  • nuk vendos kritere objektive për përzgjedhjen e tatimpaguesve,
  • krijon varësi të rrezikshme midis administratës dhe biznesit përmes rinovimit të marrëveshjes deri në 2 vite.

Kjo, sipas ekspertëve amerikanë, “krijon një terren të favorshëm për korrupsion”.

4. Pasoja të mëdha ekonomike dhe fiskale

Normat e ulëta tatimore të skemës (5%) krijojnë:

  • nxitje për shmangie tatimore,
  • zhvendosje të bizneseve drejt skemës së re,
  • rënie të të ardhurave të buxhetit,
  • prishje të ekuilibrave fiskalë në periudhë afatgjatë.

Për më tepër, mbi 90% e tatimpaguesve tashmë përfitojnë lehtësime tatimore, gjë që e ngushton edhe më shumë bazën tatimore.

5. Shkelje të parimeve themelore të taksimit

Dhoma paralajmëron se projektligji cenon:

  • barazinë para ligjit,
  • sigurinë juridike,
  • proporcionalitetin,
  • trajtimin e barabartë të tatimpaguesve.

Mungesa e akteve nënligjore dhe afati i shkurtër i zbatimit rrisin më tej pasigurinë juridike.

6. Mungesë transparence dhe konsultimi

Dhoma kritikon rëndë edhe procedurën:

  • konsultime të pamjaftueshme,
  • proces të përshpejtuar,
  • mungesë të transparencës së plotë.

Kjo, sipas Dhomës, dëmton besimin e komunitetit të biznesit dhe cenon legjitimitetin e nismës.

Dhoma Amerikane kërkon rishikim të plotë të projektligjit

Në përfundim, AmCham kërkon që projektligji të tërhiqet dhe të rishikohet nga e para, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për politika fiskale që:

  • nxisin formalizimin,
  • garantojnë konkurrencë të ndershme,
  • luftojnë evazionin,
  • ruajnë reputacionin ndërkombëtar të vendit.

Drafti i “Paqes Fiskale” – Çfarë parashikon?

  • Bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë mund të hyjnë në marrëveshje me tatimet.
  • Parapagimi i tatim-fitim për 1 vit, me të drejtë rinovimi deri në 2 herë.
  • Fitimi tatues llogaritet si:
    fitimi i vitit të shkuar + 18% rritje.
  • Çdo fitim shtesë tatohet me vetëm 5%.
  • Bizneset mund të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve, me tatim 5%.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related