Kryetari i Partia Mundësia, Agron Shehaj, ka sulmuar ashpër mazhorancën gjatë debatit në Kuvend për projektrezolutën mbi integrimin europian, duke e cilësuar dokumentin si një “tallje” me qytetarët shqiptarë.
Sipas Shehajt, qeveria po përdor procesin e integrimit në Bashkimi Europian si fasadë politike, ndërkohë që në praktikë vazhdon të mbrojë korrupsionin dhe zyrtarët e lartë të akuzuar.
Ai u ndal veçanërisht te mungesa e emrit të Belinda Balluku në projektrezolutë, duke thënë se kjo tregon hipokrizinë e mazhorancës.
Sipas Shehajt, nuk mund të flitet seriozisht për standarde europiane ndërsa, sipas tij, mbrohen politikisht persona të hetuar nga drejtësia.
“Nuk mund të flitet për Europën dhe integrimin ndërkohë që mbrohet një zyrtare e lartë për të cilën, sipas SPAK-ut, duhet të ishte kërkuar arresti”, deklaroi ai.
Kreu i Partia Mundësia shtoi se qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë vetëm ndëshkimin penal të zyrtarëve të korruptuar, por edhe rikthimin e fondeve publike të humbura në aferat korruptive.
Ai përmendi si shembuj çështjen e inceneratorëve, tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, duke i cilësuar si raste abuzimi me paratë publike.
“Qytetarët shqiptarë nuk duan thjesht juve para drejtësisë. Duan paratë. Paratë e inceneratorit, të tunelit të Llogarasë dhe të aeroportit të Vlorës duhet t’u kthehen qytetarëve”, u shpreh Shehaj.
Sipas tij, Shqipëria nuk mund të afrohet me standardet e Bashkimi Europian për sa kohë korrupsioni mbrohet politikisht dhe mungon përgjegjësia institucionale.
