Fati politik dhe juridik i ish-zv/kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pritet të vendoset në Kuvend, ku deputetët do të duhet të votojnë për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të saj.
Opozita këmbëngul se provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme janë të mjaftueshme dhe se Kuvendi nuk duhet të hezitojë në dhënien e autorizimit për vijimin e procedurave ndaj saj. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetje për ish-bashkëpunëtoren e tij.
Në një intervistë për “Top News”, juristi Romeo Kara e konsideroi votimin në Kuvend si një test të rëndësishëm për mazhorancën qeverisëse dhe raportin mes politikës dhe drejtësisë.
Sipas tij, prirja natyrale e shumicës parlamentare do të ishte vota kundër heqjes së imunitetit, por ai nuk përjashton mundësinë e një surprize gjatë votimit.
“Këtu është një test i vërtetë. Me dëshirë mazhoranca do të votonte kundër, por mund të kemi ndonjë votë surprizë, duke pasur parasysh prapaskenën e politikës dhe presionin e faktorëve ndërkombëtarë”, u shpreh Kara.
Juristi theksoi se situata aktuale nuk lidhet vetëm me një figurë politike, por me standardin që do të vendoset për mënyrën se si politika shqiptare do të bashkëpunojë me drejtësinë.
Ai shtoi se pas më shumë se një dekade qeverisje, vendi po përballet me një moment të rëndësishëm përballjeje mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë, ndërsa vendimet që do të merren mund të ndikojnë në perceptimin publik për luftën kundër korrupsionit.
Sipas Karës, presioni ndërkombëtar dhe pritshmëritë e publikut për vendosjen e standardeve të reja në politikë mund të kenë ndikim në vendimin që do të marrë Kuvendi për çështjen e Belinda Ballukut.
