Fasoni kërkon mbështetje nga qeveria: Zero taksa për lëndën e parë dhe TAP mbi 50 mijë lekë

Data

Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat është zhvilluar një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e Shoqatës ProEksport Albania, ku u diskutuan politikat fiskale dhe mbështetja për sektorin prodhues në vend.

Përfaqësuesi i shoqatës, Florjan Zeka, deklaroi se viti i kaluar është mbyllur me rënie të eksporteve, ndërsa sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë sektori më i prekur nga ndryshimet e kursit të këmbimit është manifaktura. Ai theksoi se rreth 16,500 punonjës janë larguar nga ky sektor.

Sipas Zekës, synimi i industrisë është kalimi nga modeli fason në një cikël të mbyllur prodhimi me produkte “Made in Albania”, por kjo kërkon mekanizma të fortë mbështetës nga qeveria.

Një nga kërkesat kryesore të sektorit ishte zerimi i taksave për lëndën e parë. Aktualisht, sipas përfaqësuesve të industrisë, këto taksa variojnë nga 8% deri në 15%, duke e bërë produktin vendas rreth 25% më të shtrenjtë krahasuar me vendet e rajonit dhe tregjet europiane. Ata theksuan se në Kosovë këto taksa janë 0%.

Përfaqësuesit e sektorit kërkuan gjithashtu që garancia sovrane për biznesin të jetë e përhershme, me normë interesi rreth 2.5% dhe me mbulim kolaterali deri në 70%, duke argumentuar se skemat e mëparshme nuk kanë funksionuar për shkak të vonesave dhe afateve të kufizuara.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte rritja e pagës minimale. Përfaqësuesi i shoqatës, Saimir Bidaj, kërkoi që rimbursimi i diferencës nga rritja e pagës minimale të zbatohet për 9 muaj për të gjithë punonjësit e sektorit, pasi rritja e pagave pritet të ndikojë në gjithë hierarkinë e pagave dhe të rrisë kostot për bizneset.

Shoqata kërkoi gjithashtu rishikim të Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP), duke propozuar që pragu i tatimit të nisë nga 50 mijë lekë në muaj, nga 35 mijë lekë që është aktualisht.

Sipas përfaqësuesve të sektorit, rreth 70% e kostove të industrisë vijnë nga fuqia punëtore, ndërsa kombinimi i rritjes së pagave me nivelin aktual të tatimit po rëndon ndjeshëm mbi bizneset dhe po ul konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related