Një oficer policie është dhunuar mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Sarandës, në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të qytetit, ku Mihal Velço, oficer i krimeve pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, është përfshirë në një konflikt me disa persona.
Sipas të dhënave paraprake, Velço ka qenë duke udhëtuar me motor kur është fyer dhe më pas kanosur nga një grup personash. Pas kësaj, ai ka zbritur nga mjeti dhe konflikti ka degjeneruar në përplasje fizike.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të organizuar ndaj efektivit të policisë.
Pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie kanë nisur kontrolle në zona të ndryshme të Sarandës, përfshirë banesa, lokale dhe ambiente publike. Disa persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Deri në këto momente nuk është bërë i ditur identiteti i autorëve të dyshuar dhe nuk ka informacion zyrtar për arrestime.
