Falsifikuan vendimin e Apelit të Tiranës për të divorcuar klientin dhe për t’i hapur rrugë martesës së re, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq avokaten dhe përkthyesen

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në gjyq një avokate dhe një përkthyese, të akuzuara për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim, në një skemë që synonte realizimin e një divorci të paligjshëm dhe më pas lidhjen e një martese të re.

Sipas organit të akuzës, procedimi penal nr. 857 i vitit 2025 zbuloi se më 29 maj 2025 në Zyrën e Gjendjes Civile pranë Bashkia Fier ishte dorëzuar përmes postës një vendim i pretenduar i Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që kishte për objekt njohjen dhe zbatimin në Shqipëri të një vendimi divorci të dhënë nga një gjykatë në Greqi.

Nga hetimet rezultoi se dokumenti ishte i falsifikuar.

Sipas Prokurorisë, shtetaset me iniciale A.K. dhe A.M. kishin dërguar dokumentacionin me postë dhe ishin paraqitur disa herë pranë gjendjes civile për të ndjekur regjistrimin e vendimit. Hetimet treguan se avokatja A.M. kishte përdorur edhe autoritetin e saj profesional për të ndikuar në pranimin e dokumenteve.

Organi i akuzës thekson se e pandehura A.K., në bashkëpunim me avokaten, kishte falsifikuar si vendimin e gjykatës greke, ashtu edhe atë të Apelit të Tiranës, me qëllim realizimin e shkurorëzimit të shtetasit F.H. në mënyrë të paligjshme.

Sipas dosjes hetimore, synimi final ishte që A.K. të lidhte martesë ligjore me shtetasin F.H., me të cilin kishte një marrëdhënie intime.

Prokuroria e Fierit deklaroi se mbetet e angazhuar në goditjen e çdo forme falsifikimi dokumentesh dhe në mbrojtjen e ligjshmërisë në administratën publike dhe sistemin e drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related