BE dhe SHBA nisin dialogun për marrëveshje tregtare që parandalon përshkallëzimin tarifor

Data

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po afrohen drejt një marrëveshjeje të rëndësishme tregtare, në përpjekje për të shmangur vendosjen e tarifave 50% mbi të gjitha eksportet evropiane, një masë që pritet të hyjë në fuqi nga e mërkura e ardhshme sipas një afati të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Gazeta britanike The Guardian raporton se bisedimet që po zhvillohen në Uashington mund të zgjasin deri në momentet e fundit përpara afatit. Megjithatë, sipas diplomatëve dhe zyrtarëve evropianë, BE-ja është e hapur për të pranuar tarifat ekzistuese prej 10% si një formë kompromisi. Ky qëndrim, sipas burimeve, do të kushtëzohej me zgjatjen e periudhës së negociatave dhe me mundësinë e lehtësimit të tarifës 25% që rëndon aktualisht mbi eksportet e makinave – një goditje serioze për industrinë automobilistike gjermane.

Trump ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 9 korrik, do të vendosë tarifa 50% për të gjitha produktet që importohen nga BE-ja. Aktualisht, shumica e mallrave evropiane tarifohen me 10%, ndërsa automjetet dhe pjesët e tyre përballen me tarifa 25%, dhe çeliku e alumini me 50%.

Në përpjekje për të finalizuar një marrëveshje, kreu i tregtisë së BE-së, Maroš Šefčovič, ndodhet në Uashington ku të enjten zhvilloi takime të paparashikuara me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, dhe sekretarin e Thesarit, Scott Bessent – një nga aleatët më të afërt të presidentit Trump. Fillimisht, Šefčovič kishte parashikuar vetëm një takim me përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer.

Ky përshpejtim i negociatave ndodh në një moment kur kancelari gjerman Friedrich Merz ka rritur presionin për arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë, duke theksuar në një deklaratë nga Berlini: “Më mirë një zgjidhje e shpejtë dhe e thjeshtë sesa një marrëveshje komplekse që zvarritet me muaj.”

Ai gjithashtu nënvizoi se tarifat aktuale përbëjnë “një barrë të madhe për bizneset evropiane”.

Šefčovič është gjithashtu në kërkim të një garancie që gjatë periudhës së zgjatjes së bisedimeve, SHBA nuk do të vendosë tarifa të reja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related