Sipas Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij përfituan qindra mijëra euro ryshfet nga fondet e Bashkisë apo kompani kontraktore – përfitime të paligjshme që u injektuan dhe ‘pastruan’ nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga Xoxa.
Kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqëruan kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për në paraburgim ditën e hënë në mesditë, në bazë të një vendimi për masë arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, televizionet po transmetonin një nga kronikat e zakonshme, ku ai shfaqej buzëqeshur me fëmijë në një kopsht në lagjen Yzberisht të Tiranës.
Gjatë një dekade në krye të Bashkisë së Tiranës, Veliaj, 45 vjeç, kishte fabrikuar imazhin e një zyrtari punëtor, i cili me mëngë të përveshura çdo ditë mbillte pemë, përuronte kopshte dhe shkolla apo luante me fëmijët, ndërkohë që mbështetësit e tij e thërrisnin shpesh ‘Lali Eri’ – një pseudonim popullor që synonte të theksonte afërsinë e tij me qytetarët.
Por nën këtë fasadë të kuruar me kujdes, nëpërmjet propagandës dhe ndikimit mbi mediat audivizive, fshihej sipas SPAK edhe një skemë e mirëmenduar dhe komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar ryshfete, udhëtime ose pasuri të paluajtshme nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi.
Këto ryshfete i transferoheshin familjes së kryebashkiakut kryesisht nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe familjarët e saj, duke mjegulluar origjinën nëpërmjet faturave fitktive.
