I ftuar në një studio televizive, inxhinieri dhe analisti Erion Softa komentoi zhvillimet e fundit që lidhen me protestat qytetare, duke vlerësuar se lëvizja po kalon gradualisht nga një reagim spontan ndaj pakënaqësive publike drejt një forme më të organizuar të angazhimit politik.
Sipas Softës, qytetarët po kërkojnë jo vetëm të shprehin pakënaqësitë e tyre, por edhe të gjejnë alternativa që mund të ofrojnë zgjidhje konkrete për problematikat që i shqetësojnë.
“Gjithmonë jemi në vëmendje për të parë nëse kjo është zgjidhja e duhur dhe nëse do t’u japë përgjigje problemeve që qytetarët kanë ngritur”, u shpreh ai.
Softa argumentoi se interesi publik tashmë nuk kufizohet vetëm te protesta si formë reagimi, por edhe te mundësia që kjo energji qytetare të përkthehet në përfaqësim politik dhe në programe konkrete.
Sipas tij, po bëhet gjithnjë e më e dukshme nevoja për një platformë të qartë politike, ku qytetarët të mund të identifikojnë veten dhe të shohin të adresuara shqetësimet e tyre.
“Ndonëse nisi si një revoltë e lidhur me një problem specifik, sot vihet re kërkesa për një linjë më të qartë politike, në mënyrë që kjo energji qytetare të mund të shndërrohet në vullnet politik”, deklaroi Softa.
Ai shtoi se zhvillimet e fundit tregojnë një proces transformimi të lëvizjes, nga faza e reagimit qytetar drejt një organizimi më të strukturuar, i cili synon të ketë ndikim më të gjerë në debatin publik dhe politik.
Komentet e Softës vijnë në një moment kur protestat qytetare po vijojnë prej disa javësh në Tiranë, ndërsa debati mbi përfaqësimin politik dhe alternativat e reja në skenën politike shqiptare mbetet në qendër të diskutimeve publike.
