Ergys Mërtiri: Asnjë qeveri nuk mbijeton përballë një revolte të tillë qytetare, Rama po humbet kontaktin me realitetin

Data

Analisti Ergys Mërtiri i ka cilësuar protestat qytetare të ditëve të fundit si një nga zhvillimet më domethënëse politike dhe shoqërore të viteve të fundit në Shqipëri, duke argumentuar se ato dëshmojnë se fryma e reagimit qytetar mbetet e fortë pavarësisht zhgënjimit të thellë ndaj klasës politike.

I ftuar në një studio televizive, Mërtiri tha se mobilizimi i qytetarëve ka kaluar tashmë kufijtë e pakënaqësisë së zakonshme politike dhe është shndërruar në një reagim të drejtpërdrejtë kundër mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes publike.

“Është një protestë fantastike, që tregon se shpirti i reagimit të shqiptarëve nuk ka vdekur. Indinjata ndaj klasës politike ka arritur në atë pikë sa qytetarët nuk pyesin më se kush fiton apo humbet politikisht, por ngrihen vetë për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të shprehur pakënaqësinë”, u shpreh ai.

Sipas analistit, mungesa e një opozite të fortë ka kontribuar në rritjen e arrogancës së pushtetit, ndërsa protestat po rikthejnë në qendër të vëmendjes rolin e qytetarit si faktor vendimmarrës.

Mërtiri vlerësoi gjithashtu interesimin e mediave ndërkombëtare për zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se protestat kanë tërhequr vëmendje jo vetëm për shkak të numrit të pjesëmarrësve, por edhe për shkak të çështjeve që ato adresojnë.

“Ndryshe nga protesta të tjera, kjo ka lindur nga kundërshtimi ndaj një projekti konkret dhe ka marrë një dimension më të gjerë. Për këtë arsye ka ngjallur interes edhe jashtë vendit”, tha ai.

Analisti kritikoi reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj protestuesve, duke argumentuar se minimizimi i pjesëmarrjes dhe retorika përçmuese tregojnë shkëputje nga realiteti.

“Rama po humbet fillin. Kur përballë ke mijëra qytetarë në rrugë dhe përpiqesh t’i paraqesësh si një grup të papërfillshëm, kjo tregon se nuk po kupton thelbin e mesazhit që po jep shoqëria”, theksoi Mërtiri.

Ai shtoi se historia politike tregon se asnjë qeveri nuk mund të qëndrojë gjatë në këmbë kur përballet me një revoltë të gjerë qytetare.

“Asnjë qeveri nuk mbijeton dot pafundësisht përballë një turme të madhe qytetarësh të vendosur. Kur pakënaqësia shndërrohet në mobilizim masiv, pushteti detyrohet të dëgjojë ose të përballet me pasojat politike të vendimeve të veta”, deklaroi ai.

Në fund, Mërtiri argumentoi se protestat kanë dhënë një mesazh pozitiv edhe për imazhin e Shqipërisë, pasi sipas tij ato tregojnë se shoqëria shqiptare nuk është indiferente ndaj zhvillimeve politike dhe nuk pranon pa reaguar forma arrogante apo autoritare të qeverisjes.

“Kjo protestë tregon se shqiptarët nuk janë një popull i dorëzuar. Ajo dëshmon se ekziston ende një frymë demokratike dhe një gatishmëri për të reaguar kundër padrejtësive, korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit”, përfundoi analisti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related