Partia Demokratike zhvilloi mbledhjen konstituese të Këshillit të saj Kombëtar, ku pritet të zgjidhen Kryesia e re e partisë dhe kryetari i Këshillit Kombëtar.
Mbledhja nisi me duartrokitje për Edi Palokën, i cili ka drejtuar deri tani Këshillin Kombëtar dhe ka bërë të ditur se nuk do të rikandidojë për këtë funksion.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te protestat qytetare që po zhvillohen në vend, duke u bërë thirrje anëtarëve të partisë të mbështesin angazhimin e të rinjve.
“Detyra më parësore, në bindjen time, është që si qytetarë të bëjmë gjithçka që lëvizja rinore të triumfojë”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi këtë lëvizje si një nga mobilizimet më të rëndësishme qytetare në Shqipëri që nga vitet ’90.
Gjatë mbledhjes, Këshilli Kombëtar pritet të votojë për përbërjen e Kryesisë së re të Partisë Demokratike, si edhe për drejtuesin e ri të Këshillit Kombëtar.
