Erdogan: Izraeli po saboton paqen me Iranin, bota po paguan çmimin e luftës së Netanyahut

Data

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Izraelin për sabotim të përpjekjeve për paqe me Iranin, duke e cilësuar konfliktin aktual si një luftë me pasoja globale.

Në një deklaratë pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, Erdogan u shpreh se kjo përplasje, ku përfshihen Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, është një “luftë e paligjshme” e drejtuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas tij, edhe pse konflikti lidhet drejtpërdrejt me Izraelin, pasojat po i paguan e gjithë bota. “Është lufta e Netanyahut për pushtet, por 8 miliardë njerëz po vuajnë pasojat”, deklaroi Erdogan, duke theksuar ndikimin e rëndë në ekonominë globale.

Presidenti turk paralajmëroi se qëndrimi i ashpër dhe “maksimalist” i Izraelit rrezikon të pengojë çdo përpjekje diplomatike për zgjidhje. Ai shprehu shpresën që negociatat të përparojnë përpara se dëmet ekonomike dhe politike të bëhen të pakthyeshme.

Erdogan theksoi gjithashtu se Turqia synon të qëndrojë jashtë përshkallëzimit të konfliktit dhe të shmangë përfshirjen në një luftë rajonale. “Ne refuzojmë një luftë shkatërruese dhe do të bëjmë gjithçka për të mbajtur vendin tonë larg kësaj unaze zjarri”, u shpreh ai.

Deklaratat e liderit turk vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, ku përplasjet dhe akuzat mes palëve po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për paqe.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related