Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka kritikuar ashpër konsensusin mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për miratimin e projektrezolutës së integrimit europian në Kuvend.
Në një intervistë televizive, Kapri e cilësoi dokumentin si “fiktiv” dhe pa ndikim real politik, ndërsa akuzoi dy partitë e mëdha për bashkëpunim të fshehtë dhe pazare politike.
“Rezoluta ishte fiktive për mënyrën si u bë. PS dhe PD u mblodhën bashkë dhe nuk na ftuan. Edhe po të na ftonin, nuk kishim dëshirë të bëheshim pjesë”, deklaroi Erald Kapri.
Sipas tij, aktualisht mes socialistëve dhe demokratëve po krijohet një “muaj mjalti politik”, i cili po reflektohet edhe në diskutimet për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.
Kapri tha se Partia Demokratike i dha një mbështetje politike mazhorancës në një moment delikat, ndërsa shtoi se rezoluta shmangu plotësisht çështjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Problemi më i madh sot është çështja Balluku dhe ajo nuk u përfshi fare në rezolutë”, u shpreh ai.
Deputeti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi qëndrimin e opozitës në raport me kërkesat për heqjen e imunitetit politik, duke deklaruar se PD nuk duhej ta votonte rezolutën pa u diskutuar më parë çështja e Ballukut në Parlament.
“Duhet të ishte fjalia e parë në rezolutë heqja e imunitetit politik. Ne mendojmë se PD nuk duhet ta kishte votuar rezolutën pa u votuar më parë heqja e imunitetit të Ballukut”, tha Erald Kapri.
Ai shtoi se Partia Mundësia do të vijojë të qëndrojë larg marrëveshjeve politike që, sipas tij, nuk sjellin ndryshime reale për qytetarët dhe sistemin politik në vend.
