Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Mamurras, ku një 50-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Lezhës.
I plagosuri është identifikuar si Pjetër Marku, i cili ka marrë një plagë në dorën e djathtë. Burime paraprake bëjnë me dije se ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia ende nuk ka mundur ta marrë në pyetje 50-vjeçarin, për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa mbeten të paqarta rrethanat e plagosjes. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një konflikt me persona të tjerë apo për një rast vetëplagosjeje.
Blutë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po verifikohen të gjitha pistat për të sqaruar dinamikën dhe shkaqet e incidentit.
