Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalën e tij pasditen e sotme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ku dha sqarime për vonesën e thirrjes së këtij forumi pas zgjedhjeve të 11 majit dhe hodhi poshtë akuzat se opozita mban përgjegjësi për humbjen elektorale.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ai dhe lidershipi demokrat janë “njerëz të fjalës”, por pas zgjedhjeve prioritet absolut ka qenë mbrojtja e votës së qytetarëve shqiptarë, të cilën e cilësoi si të grabitur.
“Së pari, dua të bëj një sqarim të domosdoshëm përpara jush dhe demokratëve në mbarë Shqipërinë për vonesën e mbledhjes së Këshillit Kombëtar pas 11 majit. Kjo vonesë ka pasur vetëm një shkak: mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Unë dhe të gjithë ne jemi njerëz të fjalës”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së nënvizoi se opozita kishte paralajmëruar prej kohësh se me qeverinë e Edi Ramës nuk mund të kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke theksuar se angazhimi për mbrojtjen e votës ishte prova më e madhe e seriozitetit, përkushtimit dhe integritetit të demokratëve.
Ai vlerësoi fushatën elektorale të vitit 2025 si më të mirën në historinë e Partisë Demokratike, si në program ashtu edhe në organizim, duke përmendur mbështetjen ndërkombëtare nga organizata të rëndësishme të qendrës së djathtë.
“Fushata e vitit 2025 ishte fushata me programin më të shkëlqyer në historinë e PD-së. Ishte një fushatë e mbështetur nga organizatat më të mëdha ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë, CDI, IDU, dhe vetëm 10 ditë para zgjedhjeve edhe PPE denoncoi farsën elektorale që kishte përgatitur Edi Rama”, tha Berisha.
Sipas tij, zgjedhjet e 11 majit përbënin një farsë elektorale të paprecedentë, duke tejkaluar të gjitha proceset e mëparshme të kontestuara.
Berisha u ndal edhe te kritikat ndaj opozitës, duke i cilësuar si një gabim të rëndë në thelb.
“Ata që duan të fajësojnë opozitën për humbjen bëjnë një gabim shumë të madh. Me dashje ose pa dashje, ata justifikojnë farsën. Sepse kur gara zhvillohet mes shtetit elektoral dhe partive politike, nuk kemi garë, por farsë”, përfundoi ai.
