Konflikti në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet më tej, ndërsa mediat izraelite raportojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer për herë të parë një sulm ndaj Iranit, duke shënjestruar një impiant shkripëzimi.
Sipas raportimeve, sulmi shihet si një sinjal paralajmërues për Teheranin, ndërsa analistët paralajmërojnë se Emiratet mund të përfshihen plotësisht në konflikt nëse sulmet iraniane në rajon intensifikohen.
Autoritetet në Abu Dhabi njoftuan gjithashtu se mbrojtja ajrore zbuloi 17 raketa balistike, nga të cilat 16 u neutralizuan, ndërsa një tjetër ra në det pa shkaktuar dëme.
Sulme të reja ndaj rafinerive iraniane
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë vazhduar operacionet ushtarake kundër Iranit. Sipas raportimeve, pesë rafineri nafte iraniane janë goditur deri në mesditën e së dielës, duke shkaktuar zjarre të mëdha dhe shtëllunga tymi në disa zona.
Nga këto sulme raportohet se katër persona kanë humbur jetën, sipas kompanisë iraniane të shpërndarjes së naftës.
Një burim izraelit i tha Reuters se objektet e goditura përdoreshin për furnizimin me karburant të programeve ushtarake dhe për zhvillimin e armëve.
Sulm edhe në Liban
Gjatë natës, forcat izraelite kanë kryer gjithashtu një sulm ajror në Bejrut të Libanit, ku një ndërtesë e lartë u godit nga një sulm i precizuar.
Sipas autoriteteve izraelite, në këtë operacion u vranë katër persona, mes tyre edhe një komandant i Gardës Revolucionare Iraniane.
Sulme me dronë në vendet e Gjirit
Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni raportuan sulme me dronë iranianë në territorin e tyre gjatë fundjavës.
Në Kuvajt, një zjarr i madh përfshiu një ndërtesë qeveritare pas një sulmi me dron.
Sipas ambasadorit të Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, sulmet e SHBA dhe Izraelit kanë shkaktuar deri tani 1,332 viktima civile në Iran dhe mijëra të plagosur, ndërsa sulmet iraniane ndaj Izraelit kanë shkaktuar 10 viktima.
Ndërkohë konflikti në rajon ka hyrë në javën e dytë, duke rritur frikën për një përshkallëzim edhe më të madh në Lindjen e Mesme.
