Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Rroshi, është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Thirrja në SPAK lidhet me hetimet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit për parregullsi të rënda financiare gjatë kohës që ai drejtonte bashkinë.
Sipas dosjes hetimore, Rroshi dyshohet se ka qenë në qendër të një skeme abuzimi me tenderat publikë, ku përmes procedurave të manipuluara është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 33 milionë lekësh. Hetimet përfshijnë projekte për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, ndërtimin e rrugëve dhe ndriçimin e shëtitoreve, ku janë konstatuar standarde të dyfishta në vlerësimin e operatorëve ekonomikë dhe shkelje flagrante të ligjit të prokurimit publik.
Auditimi ka zbuluar raste ku janë skualifikuar padrejtësisht ofertat më të ulëta dhe janë shpallur fitues operatorë me oferta më të larta, si dhe procedura që nuk janë anuluar edhe pse asnjë subjekt nuk plotësonte kriteret ligjore. Po ashtu, janë evidentuar shkelje serioze në fushën e urbanistikës, me miratim lejesh ndërtimi pa dokumentacion të plotë dhe pa respektuar distancat ligjore.
Përveç ish-kryebashkiakut, në kallëzimin penal janë përfshirë edhe dhjetëra ish-drejtues dhe punonjës të Bashkisë së Kavajës, për të cilët janë rekomanduar masa disiplinore të rënda, deri në largim nga shërbimi civil.
SPAK po vijon hetimet dhe pritet të thërrasë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje. Dosja e Kavajës konsiderohet një nga rastet më të rënda të dyshuara për abuzim sistematik me fondet publike në pushtetin vendor.
