Avokati i familjarëve të viktimave të 21 Janarit, Idajet Beqiri, ka bërë publike për herë të parë një detaj të rëndë që, sipas tij, provon manipulimin e qëllimshëm të hetimit për vrasjen e katër protestuesve në bulevard më 21 janar 2011. Në një intervistë televizive, Beqiri deklaroi se pamjet filmike të ngjarjes janë fshirë nga serverat e Kryeministrisë nga një person i afërt me ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa një kopje e hard-diskut është nxjerrë jashtë institucioneve shtetërore.
Sipas Beqirit, personi që ndërhyri në servera ka qenë Armando Kasaj, i cili ka pranuar se një kopje të hard-diskut ia ka dorëzuar Shpresa Spahiut, për ta kaluar më pas te ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi. Avokati thekson se këto janë prova kyçe që lidhen drejtpërdrejt me zbardhjen e vrasjes së katër protestuesve dhe se ekzistenca e tyre është e njohur edhe nga autoritetet amerikane, të cilat – sipas tij – kanë arritur të rikuperojnë materialet filmike.
Beqiri akuzon drejtësinë shqiptare se prej vitesh ka shmangur hetimin real të 21 Janarit, duke shpërfillur edhe vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Të vrarët po rivriten çdo ditë nga mosveprimi i drejtësisë”, u shpreh ai, duke shtuar se mosthirrja e personave kyç dhe mossekuestrimi i provave tregon një mbrojtje politike të qëllimshme.
Në intervistë, Beqiri u ndal edhe te financimet e dyshuara të lobimeve në SHBA për llogari të Berishës, duke ngritur dyshime për pastrim parash dhe burime të paligjshme financiare, por theksoi se “21 Janari mbetet plaga më e rëndë shtetërore”, pasi bëhet fjalë për vrasje të qytetarëve nga shteti.
Sipas tij, pa ndëshkimin e përgjegjësve politikë për 21 Janarin, Shqipëria nuk mund të ketë drejtësi reale dhe as integrim të vërtetë europian.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
