Elmaz Sherifi kritikon ashpër qeverinë për çështjen Balluku: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese absurd dhe ndërhyrje në drejtësi

Data

Juristi dhe ish-ministri i qeverisë socialiste në kohën e Fatos Nanos, Elmaz Sherifi, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale dhe mënyrën se si, sipas tij, po ndërhyhet në pushtetin gjyqësor.

I ftuar në një emision televiziv, Sherifi u ndal veçanërisht tek çështja e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si absurd.

Sipas tij, vendimi për të mos dhënë një zgjidhje të qartë dhe për të lënë pezull situatën krijon një precedent problematik për funksionimin e shtetit ligjor.

Sherifi argumentoi se ndërhyrja e qeverisë në një çështje ku ka një vendim gjykate përbën cenim të ndarjes së pushteteve dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ekzekutivit në sistemin gjyqësor.

Ai theksoi se një sistem demokratik funksionon vetëm kur pushtetet janë të ndara dhe të pavarura, ndërsa roli i Gjykatës Kushtetuese është të garantojë këtë balancë.

Sipas tij, në Shqipëri kjo balancë është cenuar, duke e cilësuar situatën si një “qeverisje mediatike” dhe jo një funksionim normal të institucioneve.

Në përfundim, Sherifi akuzoi Gjykatën Kushtetuese për mungesë profesionalizmi dhe për vendimmarrje të ndikuar nga interesa të caktuara, duke theksuar nevojën për rikthimin e besimit në institucionet e drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related