Elez Gjoza: Ndryshimi i VKM-së për shpërblimet në peshëngritje na ka revoltuar, po prishet ajo që u ndërtua me mund për shumë vite

Data

Ndryshimi i fundit i Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpërblimin e sportistëve elitarë ka shkaktuar reagime të forta në komunitetin e peshëngritjes shqiptare. Kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, e cilëson këtë vendim si një hap prapa që dëmton drejtpërdrejt sportistët, trajnerët dhe gjithë punën shumëvjeçare të ndërtuar me sakrificë.

Sipas Gjozës, VKM-ja e re heq shpërblimin për medaljet e fituara në stile të veçanta (shkëputje dhe shtytje), duke njohur vetëm medaljen e dygarëshit. Kjo, sipas tij, është një goditje e rëndë për peshëngritjen, një sport që funksionon mbi tre gara të veçanta dhe ku për secilën prej tyre jepet medalje zyrtare.

“Kjo na erdhi papritur dhe pa asnjë paralajmërim. Peshëngritja shqiptare i ka sjellë vendit 60 medalje ndërkombëtare vetëm gjatë vitit 2025. Ky vendim na ka prerë hovin dhe po prish atë që kemi ndërtuar me djersë për shumë vite,” shprehet Gjoza.

Ai thekson se shpërblimet sipas VKM-së së mëparshme kanë qenë një motivim i fortë për sportistët elitarë dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e rezultateve. Që nga miratimi i atij vendimi, peshëngritja shqiptare ka fituar mbi 200 medalje ndërkombëtare, duke u kthyer në federatën më të suksesshme në vend.

Gjoza shprehet i zhgënjyer edhe për faktin se ky ndryshim vjen në një moment kur numri i sportistëve elitarë në Shqipëri është i kufizuar dhe kur peshëngritja po përgatitet seriozisht për rikthimin në Lojërat Olimpike të vitit 2028. Sipas tij, objektivi është pjesëmarrja me katër sportistë, por këto plane rrezikohen nga politikat dekurajuese.

Federata Shqiptare e Peshëngritjes pritet të mblidhet në një takim urgjent me kryesinë dhe trajnerët, ku do të përcaktohen hapat e mëtejshëm. Gjoza thekson se federata nuk do të ndjekë rrugën e protestës, por do ta çojë çështjen në kanale zyrtare dhe ligjore për të rikthyer shpërblimet sipas VKM-së së mëparshme.

“Ky vendim nuk dëmton vetëm peshëngritjen, por sportin elitar shqiptar në tërësi. Shpërblimi është motivim dhe respekt për sakrificën. Heqja e tij është një hap prapa,” përfundon Gjoza, duke shtuar se sportistët e shtangës janë kampionë vendas që garojnë për flamurin dhe himnin shqiptar, dhe jo për përfitime të shpejta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related